Medija centar Čaglavica, 27.03.2023. - ÇAGLLAVICË, 27 mars – Në emisionin e 420-të “Slobodno srpski” i ftuar ishte kryetari i Forumit Kombëtar Serb, Momčilo Trajković.
Në një intervistë me Budimir Ničić, Trajković tha se nuk ka përfaqësues politik serbë në diskutimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, e as për formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe, sepse ata janë inkorporuar nga ana e Aleksandar Vučić, i cili menaxhon popullin dhe problemet serbe përmes degës së tij, Listës Serbe.
“Ata nuk pyeten për asgjë. Në atë moment që kanë pranuar të jenë në një pozitë të tillë, ata u janë dorëzuar Vučić-it, kurse në të njëjtën kohë e kanë dorëzuar edhe fatin e popullit serb nga Kosova dhe Metohia, i cili përveç që ka votuar, nuk është i informuar për asgjë tjetër, as që e di se çka po ndodh atje. Vetëm atë që e dëgjon në radio dhe televizion dhe atë që ndjen vetë, dhe sinqerisht mendoj se e ndjen më së shumti. Por ekziston edhe një problem tjetër – populli po ndjen, po shikon se për çfarë po bëhet fjalë, por po hesht, nuk guxon ose nuk dëshiron të thotë asgjë“, thotë Trajković dhe thekson se e njëjta gjë është edhe me politikanët e këtushëm nga Lista Serbe të cilët nuk janë kompetentë në punën e tyre. „ Ata nuk janë sjellur aty për të menduar, janë sjellur për të heshtur dhe për asgjë tjetër. Thjesht, siç do të thoshte fjala e urtë, ka fotografi, por nuk ka zë. Si një televizor i prishur“.
Lista Serbe si një televizor i prishur
Kryetari i Forumit Kombëtar Serb konsideron se me pranimin e Planit evropian dhe marrëveshjes për zbatim është njohur pavarësia e Kosovës de fakto dhe de jure. Në atë plan për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, gjithçka është e keqe për interesat serbe, përveç një gjëje.
„Kjo gjë është që serbët perfundimisht e kanë dëgjuar të vërtetën. Vetëm nëse dëshirojnë ta kuptojnë atë, pa marr parasysh se ajo është komunikuar në mënyrën siç e ka komunikuar Vučić-i. Kosova ngadalë por sigurt po rrëshqet kah një shtet i pavarur. A do ta nënshkruaj, kur do ta nënshkruaj, a do të shkojë Kosova në Kombet e Bashkuara dhe institucionet dhe organizatat e tjera, për këtë më së shpeshti nuk vendos as Serbia e as pala serbe“, tha Trajković dhe shtoi „Tani, sipas Këshillit të Evropës dhe Bashkimit Evropian, ky plan do të trajtojë dy palë, dy palë të barabarta, dhe kjo do të thotë se nëse Serbia është shtet, atëherë edhe Kosova është shtet. Asaj i duhen vetëm disa autorizime, disa njohje që përfundimisht do ta rrumbullakësojnë Kosovën si shtet, në të cilin Serbia nuk do të ketë ndikim“.
E akuzon Vučić-in dhe Kurtin se po manipulojnë me qytetarët.
„Ai (Vučić-i) po e mashtron popullin, ai ka hequr dorë nga politika të cilën ia ka premtuar popullit kur kanë qenë zgjedhjet. Të njëjtën gjë e ka bërë edhe Kurti. Dhe tani kemi, ashtu të them, dy „mashtrues” politik, të cilët po përpiqen që të mashtrojnë popullin ashtu që të tregojnë një lloj kompromisi, e në të vërtetë ata as nuk dinë e as nuk munden të arrijnë një kompromis. Ajo që është arritur është në fakt ajo që është imponuar nga Komuniteti Ndërkombëtar dhe nuk është çështje e marrëveshjes së tyre reciproke“, vuri në dukje Trajković.
BKS shpie në pavarësinë e Kosovës
Duke iu përgjigjur pyetjes së moderatorit nëse pas takimit në Ohër, Bashkimi i Komunave Serbe po shihet „në fund të tunelit“,Trajković është përgjigjur se edhe këtu ka një problem të madh.
„Nëse atë (BKS) e shohim në fund të tunelit, atëherë e shohim që Kosova është një shtet i pavarur, këtu qëndron problemi. Vučić-it i duhet Bashkësia e Komunave Serbe sepse pret që Kurti të mos e pranojë atë dhe në këtë mënyrë të blejë kohë. Mirëpo, kam frikë se në një moment vendimtar Kurti do të duhet të pranojë Bashkësinë e Komunave Serbe dhe do të detyrohet ta pranojë atë, ndoshta jo në atë variantin që e dëshiron Vučić-i, por shumë më të fortë se sa që e dëshiron Kurti“, konsideron nënkryetari i dikurshëm i Qeverisë së Serbisë dhe kryetar i Komitetit Federal të Jugosllavisë për Kosovë e Metohi.
BKS megjithatë mund të jetë e mirë për serbët, “por nëse pranojmë që Kosova është një shtet i pavarur”.
„Ajo do të ketë një rol për popullin serb që do të mbetet këtu. Ajo do të rregulloj marrëdhëniet. Serbët do të fitojnë një autonomi, do të pyeten për diçka, nuk do të vendos vetëm shumica shqiptare dhe mbikqyrja e Bashkësisë Ndërkombëtare. Por duhet ta themi hapur. Çmimi i kësaj është shteti i pavarur i Kosovës“, pohon Trajković.
Sipas tij, marrëveshja e arritur nuk sjell zgjidhje afatgjatë, por do të krijojë probleme të reja jo vetëm në Serbi dhe Kosovë, por edhe më gjerë, në rajon.
„Të gjitha ato për të cilat kam folur më parë po dalin tani, e kjo është teza ime e njohur se nuk ka zgjidhje, porse vetëm proces të zgjidhjes dhe gjithçka që po ndodh sot po e konfirmon këtë fakt. Askush nuk është i gatshëm të hyjë në një zgjidhje përfundimtare për Kosovën, sepse zgjidhje përfundimtare për Kosovën edhe nuk ekziston“, deklaroi Momčilo Trajković i ftuar në „Slobodno srpski“.