“Heronjtë e kohës së koronavirusit“: Mladen Đokić - Ivana Milosavljević
22/06/2021 16:28|Autor: office@newpressproduction.com|Pregleda: 540 |
|


Zyra e UNICEF-it në Kosovë dorëzoi pajisje mbrojtëse dhe mjekësore institucioneve shëndetësore në vlerë prej rreth një milion eurosh. Gjatë pandemisë së koronavirusit, kjo organizatë, qëllimi i së cilës është të mbështes fëmijët dhe të rinjtë, gjithashtu ka ndihmuar edhe sistemin arsimor në Kosovë. Përveç UNICEF-it, në Kosovë, kur bëhet fjalë për mbrojtjen e fëmijëve, ekziston edhe SOS Fshati i fëmijëve. Përfaqësuesit e këtyre organizatave Ivana Milosavljević dhe Mladen Đokić kanë qenë mysafirë të emisionit “Heronjtë e kohës së koronavirusit“.

Shefja e zyrës së UNICEF-it për regjionin e Mitrovicës Ivana Milosavljević thotë që kjo organizatë që nga fillimi i pandemisë ka ndihmuar institucionet shëndetësore në Kosovë me pajisje në vlerë prej rreth një milion eurosh. Nga sasia e gjithmbarshme e pajisjeve që kanë ardhur në Kosovë përmes UNICEF-it 10 për qind u janë dorëzuar institucioneve shëndetësore në mjediset e banuara me serbë.    

„Këto 10 përqind i kemi ndarë ashtu që të jemi të barabartë, si në komunat në veri ashtu edhe në pjesën tjetër të Kosovës. I kemi shpërndarë ashtu që pesë përqind i ka shkuar spitalit në Mitrovicën Veriore, kurse pesë përqind Shtëpisë së shëndetit në Graçanicë. Kemi arritur që secilës Shtëpi të shëndetit në Kosovë t’ia sigurojmë edhe oksigjenin e  “lëvizshëm”. Kështu që përveç maskave, veshjeve mbrojtëse, mbrojtëseve për fytyrë dhe gjërave tjera ka pasur edhe këso lloj të ndihmave”, tha Ivana Milosavljević.

Një ndihmë shumë të madhe gjatë pandemisë UNICEF-i i ofroi edhe sistemit arsimor. 

 „Ne kemi arritur që në fillim të pandemisë të mbulojmë mbi 600 shkolla me pako higjienike dhe ky ishte rrethi i parë. Me përparimin e pandemisë, ka pasur nevojë për më shumë gjëra, sepse këto janë gjëra që shpenzohen shumë shpejt, kështu që e kemi kryer edhe rrethin e dytë. Nga 600 shkolla 97 sosh gjenden në mjediset serbe,“ tha znj.  Milosavljević.

SOS Fshati i fëmijëve Kosovë gjendet në lagjen Velania, në Prishtinë. Në të jetojnë fëmijët pa prindër, fëmijët e braktisur dhe fëmijët nga familjet që kanë humbur të drejtën prindore. Momentalisht në këtë fshat jetojnë 55 fëmijë, kurse nga themelimi i tij e deri më tani, nëpër këtë projekt kanë kaluar më tepër se 6000 fëmijë. 

 „Që nga hapja e zyrës, përfaqësisë në Kosovë më 1999 e deri më tani nëpër këtë program kanë kaluar më tepër se 6000 fëmijë. Shumica e fëmijëve tani janë në moshë të rritur dhe i kanë familjet e tyre, i kanë hapur bizneset e tyre, pra të gjithë ne kemi qenë aty për gjithë ata fëmijë të braktisur. Duhet të theksohet që ne në Prishtinë e kemi atë ekipin multidisciplinar i cili përbëhet nga juristë, pedagogë, psikologë, i kemi edhe SOS nënat dhe SOS tezet që çdo ditë, ditë e natë kujdesen për ta, sillen si një familje e tyre krejtësisht normale, i bëjnë detyrat e shtëpisë me ta, i veshin, ua përgatisin ushqimin, i dërgojnë në shkollë“, tha Mladen Đokić, koordinator i SOS Fshatit të fëmijëve në Graçanicë.

Përveç Prishtinës, objekte të SOS Fshatit të fëmijëve ka edhe në Fushë Kosovë, Mat, Vranjevc dhe Graçanicë. Programi për fuqizimin dhe forcimin e familjes nga ana e SOS Fshatit të fëmijëve në Graçanicë ka filluar në vitin 2007. Prej atëherë e deri më sot, nëpër këtë program kanë kaluar më tepër se 100 familje me rreth 600 fëmijë. Më së shpeshti bëhet fjalë për familje të cenueshme nga aspekti social dhe ekonomik, familje që kanë të shprehur nivel të ulët të aftësive prindore, nivel të ulët të edukimit apo probleme të ngjashme.

 „Qëllimi i këtij projekti është parandalimi i braktisjes së fëmijëve. Kemi familje që janë jashtëzakonisht të cenueshme si sa i përket aspektit social ashtu edhe atij ekonomik dhe familje të tilla janë të prirura që t’i braktisin fëmijët e tyre biologjik. Ne jemi aty që me ekipin tonë multidisciplinar t’i largojmë kah ajo ide dhe ai mendim. Me ato familje punohet në baza ditore dhe në nivel vjetor kemi mbi 50 aktivitete sa i përket fëmijëve, kurse si qëllim primar i kemi më tepër se 50 aktivitete sa i përket prindërve“, tha Đokić.

Emisionin   "Heronjtë e kohës së koronavirusit" e realizon Qendra Mediale në Çagllavicë me mbështetjen e Ambasadës Zvicerane në Kosovë. Ai transmetohet çdo të dytën premte nga ora 21:00 në kanalet e rrjeteve televizive - TV Herc në Shtërpcë, TV Puls në Shillovë, TV Mir në Leposaviq, si dhe në RTV KIM në Çagllavicë.

 


Komentari posetilaca